Zaniolo, Roma përgatit rinovimin e kontratës

Sport

Në verën e 2018-tës, Nicolo Zaniolo u largua nga Interi, për t’u bërë pjesë e Romës. Që në performancat e tij të para me skuadrën kryeqytetase, menjëherë drejt Interit vërshuan kritikat, se kanë larguar një lojtar me mjaft cilësi, që në të adhmen mund të bëhet një nga më të mirët e këtij sporti. Zaniolo, përveç se luan rolin e një fantazisti, gëzon edhe një raport të mirë me golin, gjë që i bëri tifozët verdhekuq të dashuroheshin menjëherë me lojën e tij. Këtë e tregon fakti se pas Edin Dzekos, fanella e Zaniolos është e dyta më e shitur në ekipin kryeqytetas. Drejtuesit e klubit patën mjaft besim tek 20 vjeçari dhe në gushtin e 2019-tës, i ofruan një rinovim të kontratës deri në vitin 2024. Ky edicion nisi mjaft mirë për Zaniolon, duke u kthyer në një nga lojtarët kyç për skemën e trajnerit Fonseca. Megjithatë, pak muaj më parë, një dëmtim i rëndë, bëri që Zaniolo të mbyllte së luajturi këtë sezon. Megjithatë, sikurse raportojnë mediat italiane, drejtuesit e Romës, besojnë verbërisht tek djaloshi, ndërsa janë gati t’i ofrojnë atij një tjetër rinovim, duke e “blinduar” në Olimpico. Me fjalë të tjera, shtatlarti shihet si “gladiatori” i ardhshëm i Romës. Sigurisht që në kontratën e re, parashikohet që të ketë edhe një rritje rroge për të.

Ndonëse u dëmtua në muajin janar, në atë ndeshje mes Romës dhe Juventusit, të fituar 1-2 nga bardhezinjtë, këtë edicion, Zaniolo është aktivizuar 24 ndeshje në total, duke shënuar 6 gola, ndërsa ka shërbyer 2 asist për shokët e ekipit.