“Paolo Dybala do të largohet në janar” këtë alarm e jep ish-Presidenti i Palermos Maurizio Zamparini, i cili tregohet besimplotë se destinacioni i argjentinasit do të jetë Spanja. Në një intervistë radiofonike, biznesmeni 77-vjecar, ka treguar se dy vite më parë i pati dërguar Dybalas një mesazh ku e këshillonte atë që të shkonte në Spanjë dhe mos të mbetej në Itali. Sipas pronarit të Palermos, 24-vjecari nuk mund ta durojë stolin ndërsa nga ana tjetër Juventusi ka oreks për para pas një investimi të madh si Ronaldo.
“Paulon e këshillova dy vite më parë që të shkojë në Spanjë, atje ku luhet realisht futbolli dhe atje do shkojë këtë janar sepse Juventusi ka nevojë për para. Në janar besoj se do iki në Spanjë edhe pse ka kërkesa edhe nga Anglia” ka thënë Zamparini, i cili 3 vite më parë e la Dybalan të largohej nga Palermo për plot 40 milionë euro. Sicilianët e patën transferuar në vitin 2012 nga Instituto në Argjentinë për 11 milionë. Në kombëtare gjatë grumbullimit, trajneri Scaloni i thuri elozhe Dybalas duke e konsideruar si fenomen, megjithatë fakti se ka vështirësi për të qenë titullar justifikohet me luhatjet që ka te Juventusi për sa i përket një vendi në sulm. Ky lajm i fundit i Zamparinit i bashkohet spekulimeve të ditëve të kaluara, ku thuhej se për të Manchester United ishte gati të ofronte mbi 100 milionë që në janar.