Me 6 gola të shënar në 4 ndeshje Eran Zahavi deri më tani është golashënuesi i UEFA Champions League. Kapiteni i Maccabi Tel Aviv-it shënoi dy herë në barazimin 2-2 ndaj Baselit, duke e zbritur Hamdi Salihin në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm për golashënues. Shkodrani në 5 ndeshje me Skënderbeun, ka realizuar 5 herë duke vendosur një rekord personal si shqiptari, që ka shënuar më shumë gola në kompeticionet evropiane.
Salihi në fushë luan si sulmues i mirëfilltë. Ai parapëlqen zonën e portierit e sidomos kur zhvillohet lojë në ajër, ku shpesh herë e kemi parë të realizojë gola të shkëlqyer. Por ndryshe nga shkodrani, Zahavi luan si mesfushor, por që njëjtë si ai ka edhe vesin e golit. Kapiteni i Maccabit vitin e kaluar vendosi një rekord personal teksa shënoi në 17 ndeshje radhazi, duke e mbyllur sezonin me 29 gola. Të njëjtën formë duket se po e tregon edhe në këtë fillim-sezoni teksa ka shënuar tre dygolësha.
Ish-mesfushori i Palermos duket se ka më shumë shanse se sulmuesi kuq-e-zi, të vazhdojë të shenjojë emrin në UEFA Champions League, kjo pasi skuadra e tij, Maccabi i Tel Aviv-it, luan gjithçka në shtëpi në ndeshjen e dytë përballë Baselit, ndërkohë që Skënderbeu i Salihit udhëton në Kroaci për të shpresuar në një mrekulli përballë Dinamos së Zagrebit, me të cilën u mund me rezultatin 1-2 në Elbasan Arena. E pra tanimë përveç cilësisë duhet edhe fati.