Yerry Mina befason, zgjedh Everton përpara Manchester United

Sport

Yerry Mina
Yerry Mina do të largohet nga Barcelona. Mbrojtësi 23-vjeçar, i cili shkëlqeu në botërorin e Rusisë me kombëtaren kolumbiane, nuk ka gjetur hapësira tek skuadra blaugrana.
Por ajo që ka befasuar më së shumti është vendimi i tij për t’u transferuar tek skuadra e Everton, duke sfumuar ofertën e bërë nga Manchester United. “Djajtë e kuq” kishin kohë që intersoheshin për qendërmbrojtësin, si kërkesa kryesore e trajnerit portugez Jose Mourinho, por mesa duket lojtari ka zgjedhur të kalojë tek “The Toffees”.
Mina do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Everton, ku trajneri Marco Silva ka premtuar një revolucion të vërtetë në skuadër. Tek arkat e Barcelonës do të kalojnë 32 milionë euro, ndërsa nuk bëhet e ditur nëse do të ketë një klauzolë riblerjeje për lojtarin, ashtu siç është aluduar së fundmi. Duket se klubi blaugrana i ka mjaft të mira marrëdhëniet me Everton, pasi para pak ditësh, aty u transferua edhe Lucas Digne, i cili gjithashtu nuk gjeti hapësira tek katalanasit gjatë sezonit të kaluar.
Pas transferimit të Minas tek Everton, ku mungon vetëm zyrtarizimi, tek Manchester United duhet të kthehen në objektiva të tjera për qendrën e mbrojtjes, ku emri i Harry Maguire të Leicester City vazhdon të jetë më i përfoluri.