Që kur u largua si lojtar i lirë nga Manchester City, emri i Yaya Toure nuk është përfolur shumë në merkato, por ka qenë vetë agjenti i tij që së fundmi ka thyer heshtjen. Sipas asaj që raportohet në Angli, 35-vjeçari ka kaluar disa teste mjekësore në Londër dhe është shumë pranë nënshkrimit me një skuadër të këtij qyteti. Kohë më parë kishte spekulime se West Ham ishte interesuar për shërbimet e lojtarit nga Bregu i Fildishtë, ku do të bashkohej sërish me trajnerin e tij, Manuel Pellegrini. Por ka qenë pikërisht ky i fundit që ka mohuar gjithçka, duke u shprehur se këto janë thjesht zëra merkatoje, pasi nuk kishte asgjë të vërtetë.
Pas postimit ë parë në “Twitter” të agjentit të tij, Dimitry Seluk, ku lajmëronte se Toure ishte pranë nënshkrimit të një kontrate të re, ai ka njoftuar të gjithë, po përmes këtij rrjeti social se skuadra në fjalë nuk ishte asnjëra mes West Ham dhe Crystal Palace. Madje Seluk thumbon skuadrat në fjalë duke thënë se Toure është një kampion dhe këto nuk janë skuadra për të, çfarë i bën të gjithë të mendojnë se mesfushori 35-vjeçar do të firmosë më një klub të njohur londinez. Marrëveshja në fjalë pritet të zyrtarizohet brenda javës, ndërsa vetë lojtari ka preferuar të mos flasë, deri sa gjithçka të jetë konfirmuar.