Yann Sommer vishet zyrtarisht zikaltër, portieri zbulon arsyet përse zgjodhi Interin

Sport

Yann Sommer vishet zyrtarisht zikaltër. Ndonëse u përfol shumë, telenovela e transferimit të portierit zgjati pak ditë. Zvicerani është prezantuar menjëherë në ambientet e klubit të Interit, atje ku edhe ka thënë fjalët e tij të para për këtë aventurë të re që e pret në karrierë. 34 vjeçari ka zbuluar edhe disa prej arsyeve që e bindën atë të bëhej pjesë e nënkampionëve të Europës.

“Arsyet që më bindën të bëhesha pjesë e Interit, janë disa. Si fillim, të prezantosh këtë klub, është një sfidë e re për karrierën time. Po pres me padurim të zbres në “San Siro” dhe të përjetoj atmosferën e atij stadiumi. Interi është një skuadër që e nis aksionin nga porta, e kjo është një tjetër arsye përse vendosa të jem pjesë e këtij projekti. Stili im, përshtatet mjaft mirë në lojën me këmbë. Dua të jem një mundësi më tepër për të ndihmuar skuadrën”, ka deklaruar ndër të tjera Sommer.

Me Interin, Yann Sommer ka nënshkruar një kontratë 3 vjeçare, deri në verën e 2026-tës, duke zëvendësuar në këtë mënyrë të larguarin drejt Manchester Untied, Andre Onana. Për të kompletuar transferimin e tij nga Bayern Munich, Interi ka paguar rreth 7 mln euro, pak a shumë në nivelin e klauzolës që gardiani i katërkëndëshit kishte me klubin bavarez.

Me sytë nga aventura e re që e pret përpara, me Bayernin, Sommer luajti vetëm për një gjysmë sezoni. Ai u bë pjesë e gjigantëve të Bundesligës në Janarin e këtij viti, atje ku luajti 25 ndeshje në total dhe në fund arriti të fitonte titullin kampion.