Është mbyllur me një vend të katërt kampionati Botëror i Xhudos për Majlinda Kelmendin. Në eventin që mbahet në Budapest të Hungarisë, 26-vjeçarja nga Peja ishte një nga pretendentet për një vend në pod, por hasi në konkurrente, të cilat ia bënë të pamundur përmbushjen e pritshmërive. Në kategorinë 52 kilogram, dy herë kampionja e Botës dhe po aq e Evropës, e nisi duke eliminuar me rezultatin 2-0 francezen Amedin Bushard dhe duke kaluar në gjysmëfinale. Përballë kosovares, në tapet u prezantua rivalja japoneze Ai Shishime, e cila u tregua më e fortë se Majlinda dhe pas 9 minutash luftim, gjithcka u vendos në kohën shtesë. Në fakt japonezja në fund rezultoi edhe kampionja duke rikthyer edhe njëherë dominancën e vendit aziatik në këtë sport. Por për medaljisten e parë të Kosovës në Lojërat Olimpike, gjërat nuk shkuan mirë as në përballjen për vendin e tretë. Kelmendi humbi mundësinë për t’u ngjitur në pod, pasi brazilianja Erika Miranda u tregua më e zonja se ajo. Ngushëllim për pejanen është fakti se as në kategorinë për meshkuj, kampioni olimpik Fabio Basile nuk arriti ta mbrojë rezultatin e arritur në Rio 2016-të. Ky rezultat i Majlindës në Budapest mund t’i vë në diskutim vendin e parë në ranglistën botërore të Judos, kjo pasi pikërisht brazilianja Miranda ishte e dyta.