Xhaka, një nga 5 më besnikët e kampionatit zviceran

Sport

Taulant Xhaka për Bazelin, njësoj si Francesco Totti, Steven Gerrard o Lionel Messi për Romën, Liverpulin e Barcelonën. Këta janë shembujt kryesor të futbollistëve që kanë kaluar të gjithë karrierën e tyre në një klub të vetëm. E njëjta gjë vlen edhe për mesfushorin shqiptar, i cili është një ndër 5 lojtarët e Superligës Zvicerane, që është shfaqur më besnik kundrejt klubit ku luan.
Me 9 vjet, 10 muaj e 9 ditë, Xhaka është ai me jetëgjatësinë më të madhe në skuadrën e Bazelit. Lojtari 29-vjecar i përfaqësueses shqiptare ka luajtur deri tani vetëm për 19 herë kampionët e Zvicrës, pas një periudhe huazimi me Grasshopersin. Ndërkohë që konsideohet si një nga pikat kyce të ekipit të drejtuar nga Marsel Koler. Jo vetëm për shkak të eksperiencës që ka aty, por edhe për faktin se jep gjithmonë maksimumin në fushë dhe është në gjendje të luajë në disa role.
Po Xhaka është bërë këto ditë edhe protagonist i një prapaskene kurioze, që është rrëfyer disa më vonë nga ish-shoku i tij, Pascal Schurpf, të cilin kanë luajtur bashkë tek të rinjtë e Bazelit. Ajo që thuhet gjithmonë për futbollistët profesionistë është se para ndeshjeve nuk duhet të kenë lodhje dhe duhet të shkojnë herët të flenë, që të jenë në gjendje të mirë për të zbritur më pas në fushën e lojës. Por ja që jo gjithmonë ndodh kështu. Schurpf ka treguar një rast të veçantë që përfshin edhe mesfushorin Taulant Xhaka.
“Gjatë kohës që isha te Basel U21 dola bashkë me Taulant Xhaka dhe Daniel Unal, për t’u argëtuar në një klub nate, mbrëmjen përpara një ndeshjeje që kishim. Të nesërmen arritëm të fitonim 3-2 kundër Solothurn. Dhe pikërisht unë, Taulanti dhe Danieli ishim golashënuesit e atij takimi”, tha Schurpf, duke dashur të tregojë se jo gjithmonë thyerja e regjimit para ndeshjes mund të kenë efekte negative te lojtarët.