Gjermania dhe Zvicra barazuan 1-1 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në kuadër të Grupit A në Euro 2024. Paraqitje fantastike në këtë duel nga mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, i cili u zgjodh nga UEFA, si lojtari më i mirë i takimit. “Xhaka me sa duket ka qenë kudo sonte. Nga ndihma për të çuar topin përpara deri tek mbrojtja dhe sigurimi që harkimet e Gjermanisë të mos hyjnë në zonë. Kapiteni i Zvicrës u shfaq edhe një herë një nga figurat më të spikatura”, shkruante UEFA në faqen e tyre zyrtare në lidhje me lojën e mesfushorit me origjinë shqiptare. Ai vrapoi pothuajse 12 kilometra, ndërsa në një moment arriti shpejtësi prej 31.4 km/h. Saktësia e pasimeve ishte 84 për qind, gjithmonë sipas statistikave të përcjella nga UEFA.
Kjo ishte hHera e dytë që Granit Xhaka e fiton këtë çmimin në “Euro 2024”, gjë që e bëri edhe ndaj Hungarisë në fitoren 3-1. Granit Xhaka e ka vlerësuar paraqitjen e Zvicrës ndaj Gjermanisë, duke dhënë njëdeklaratë përpara mediave në fund të ndeshjes. “Mendoj se kur të shohim gjermanët që po festojnë për barazim, mund të jemi krenarë me veten. Nuk është e lehtë me ekipe si Gjermania. Por goli në minutat shtesë lëndon. Natyrisht duhet të komplimentohet edhe kundërshtari. Por mbi të gjitha duhet të jemi krenarë me veten. Secili ka luftuar për secilin dhe ka vrapuar për tjetrin. Gjithnjë kemi thënë se duhet të jetë ditë shumë e mirë, se duhet të shkojmë në limite. Dhe kur e bëjmë këtë mund të mposhtim të gjithë, Spanja, Italia, Shqipëria apo Kroacia mund të pasojnë tani”, ishin fjalët e Granit Xhakës.