XHAKA IMITON ZIDANE DHE MERR DEIMIN E RENDE NE ZVICER

Sport

Ndeshja Basel-Zurich në kampionatin zviceran ka kthyer versionin më të keq të Taulant Xhakës. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare që luan për Bazelin, fillimisht bëri një faul të ashpër ndaj një kundërshtari në lojë e sipër, duke merituar kartonin e kuq. Por sikur të mos mjaftonte kaq, ka vazhduar të jetë i nervozuar në maksimum, aq sa në një moment goditi edhe një tjetër lojtar të Zyrihut me kokë. Aq sa kujtoi episodin e famshëm mes Zidane dhe Materacit në finalen e Botërorin të vitit 2006, që i kushtoi të kuqin francezit. Gjithsesi, vetë Taulanti ka dalë me një letër publike, duke kërkuar falje për gjestin e bërë.

“Të dashur tifozë! Do të doja të përfitoj nga rasti për të kërkuar falje në çdo formë për atë që bëra. Ju më njihni si një lojtar emocional. Si dikush që nuk përmbahet, që jep gjithçka për ngjyrat e tij në fushë. Dhe ne lojtarët, gjithashtu, jemi njerëz prej mishi dhe gjaku që reagojmë emocionalisht në situata të caktuara. Në të njëjtën kohë, asnjë fyerje verbale në fushë, ndaj meje dhe familjes sime, nuk e justifikon një gafë të tillë nga ana ime”.

“Si lojtar me eksperiencë dhe kapiten i kësaj skuadre kam një funksion model, sidomos në momente të vështira, gjë që fatkeqësisht nuk e kam shfrytëzuar në këtë situatë. Nuk mund ta zhbëj atë që ndodhi mbrëmë dhe sigurisht që do të përballem me pasojat për të mos e kontrolluar veten për një moment të shkurtër. Tauli juaj”, ka shkruar mesfushori shqiptar në profilin e Instagramit. Xhaka ka marrë një dënim prej plot 8 ndeshjesh pezullim pas asaj që ndodhi. Mbi të ka rënduar goditja me kokë ndaj kundërshtarit, pa lënë mënjanë as momentin që pati me gjyqtarin kryesor të cilin e kapi nga dora për të mos e lënë të nxirrte kartonin.