Xavi Hernandez ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Lionel Messit tek Barcelona. Argjentinasi është në muajt e fundit të kontratës me PSG dhe e ardhmja e tij vijon të mbetet e mistershme. Të paktën duke u nisur nga raportimet e mediave të huaja, qëndrimi i argjentinasit në Parc des Princes duket mjaft i vështirë dhe në verë kampioni i botës mund të paketojë valixhet nga kryeqyteti francez.
Një prej mundësive të Messit është rikthimi i tij në Barcelonë dhe në “Camp Nou” ndihem mjaft të elektrizuar nga një mundësi e tillë. Këtu nuk bën përjashtim as trajneri i skuadrës, Xavi Hernandez. I pyetur për një gjë të tillë, Xavi u shpreh gjithçka varet nga dëshira e Messit, sepse nga ana e Barcelonës nuk duket të ketë asnjë pengesë.
“Messi është miku im. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe flasim për tema të ndryshme. Varet prej tij nëse dëshiron të rikthehet këtu ose jo. Barcelona është shtëpia e tij dhe do të ishte mirë të kishim mes nesh lojtarin më të mirë në botë dhe të historisë. Nuk mund të them asgjë tjetër më tepër se kaq”, janë fjalët e numrit një të stolit katalanas.
Messi, ishte pjesë e Barcelonës që nga viti 2004, e deri në 2021-shin. Ai mban shifra rekord me fanellën kuqeblu, 778 ndeshje të luajtura dhe 672 gola të shënuar.