Xavi Hernandez konfirmon dëshirën e Ousmane Dembele për t’u larguar nga Barcelona. Trajneri i skuadrës katalanase, është shprehur se pavarësisht përpjekjes për ta bindur lojtarin të qëndrojë në “Camp Nou”, ai duket i vendosur për t’u transferuar në radhët e PSG.
“Dembele na ka thënë se dëshiron të largohet dhe të bashkohet me PSG. Madje, ai ka komunikuar edhe me trajnerin e tyre, Luis Enrique, e po ashtu edhe me presidentin Al Khelaifi. Më vjen keq për këtë, sepse jemi përpjekur në maksimum, që Dembele të jetë i lumtur këtu. Megjithatë, nuk mund të bëjmë dot më shumë se kaq. Dembele është duke u larguar nga skuadra jonë”, ka deklaruar ish-mesfushori, sot në rolin e timonierit të kampionëve të Spanjës.
Dembele, ka arritur një marrëveshje 5 vjeçare me PSG. Pasi sulmuesi ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin francez, tanimë mbetet vetëm që shoqëritë përkatëse, Parisi dhe Barcelona të dakordësohen edhe për shifrën e “operacionit”.
Pasi kjo çështje të mbyllet, me të ardhurat që do të arkëtojë nga shitja e Dembele, Barcelona do të hidhet në sulm për të transferuar Joao Cancelo. Xavi është shprehur se skuadra e tij ka nevojë për një mbrojtës të djathtë, e portugezi konsiderohet si përforcimi i duhur, element që u kërkua nga klubi katalanas edhe në merkaton e Janarit, por që nuk pati dot bisedime më konkrete, për shkak të vështirësive financiare të Barcelonës.
Më tej, sa i përket PSG, përveç Dembele, klubi kampion i Francës është gjithashtu shumë pranë transferimit të sulmuesit të Benficas, Goncalo Ramos. Për të lënë të lirë sulmuesin, portugezët kërkojnë 80 milionë euro, me francezët që mesa duket e kanë pranuar këtë kusht. Me fjalë të tjera, brenda kësaj javë, Ousmane Dembele dhe Goncalo Ramos, pritet të zbarkojnë në “Parc des Princes”.