Kur ka kaluar diçka më tepër se një vit që prej momentit kur Xavi Hernandez u emërua trajner i Barcelonës, klubi po mendon të rinovojë kontratën me teknikun në fjalë. Këtë ka lënë të kuptohet Drejtori Sportiv i katalanasve, Jordi Cruyff, i cili në fjalën e tij është shprehur se mundësia është mjaft e madhe që rinovimi të vijë në një të ardhme jo shumë të largët.
“Xavi e njeh Barcelonën më mirë sesa kushdo tjetër, por ai vetë ka kërkuar qetësi, sepse jemi ende në gjysmë të sezonit. Ne jemi të lumtur me të. Skuadra ka ndryshuar shumë dhe kjo kërkon kohë, në mënyrë që të përshtaten lojtarët e rinj. Nëse e shohim situatën në këtë aspekt, atëherë Xavi është duke bërë një punë të përkryer. Përveç eliminimit nga Champions League në këtë sezon, pjesa tjetër ka qenë mirë. Gjërat duken pozitive në La Liga dhe duket sikur skuadra ka gjetur qëndrueshmëri. Duam të vazhdojmë në këtë mënyrë”, janë fjalët e Cruyff.
Kontrata aktuale e Xavit ka një afat deri në vitin 2024, por nuk përjashtohet mundësia që këtë sezon, ish-mesfushori të rinovojë edhe për disa vite të tjera. Megjithatë, shumë do të varet edhe nga ecuria që Barcelona do ketë në kampionat, aty ku për momentin udhëheq tabelën e klasifikimit me 37 pikë, 2 më tepër sesa Real Madrid.
Që prej momentit kur u emërua në krye të skuadrës në 6 Nëntor të 2021-shit, Xavi e ka drejtuar skuadrën në 57 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar 34 fitore, 11 barazime dhe 12 humbje.