Ka bërë jo pak bujë lajmi se sezonin e ardhshëm, Marco Melandri nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Ducatit në kategorinë ‘Superbike’. Italiani që deri para pak kohësh dukej se e kishte vendin të sigurt tek marka italiane, do të zëvendësohet nga Alvaro Bautista, i cili aktualisht garon në ‘MotoGP’. Një shpjegim për këtë lëvizje të Ducatit e jep vetë numri 1 i kësaj skuadre, Paolo Ciabatti. Sipas tij, ky ndryshim në skuadër nuk erdhi për shkak se skuadra nuk është e kënaqur me performancën e Melandrit, por për sezonin e ardhshëm kërkojnë që t’i japin jetë një projekti afatgjatë, që kërkon qëndrueshmëri nga ana e pilotit.
Për këtë arsye, do t’i besohet një vend Bautistas, që në ‘MotoGP’ ka zhgënjyer të japë atë që pritej, duke qenë se është shpallur kampionë në kategoritë më të ulta. Ciabatti konfirmoi se do të donte që Melandri të mbetej pjesë e Ducatit, qoftë edhe tek skuadrat satelite të saj, por paga e lartë e pilotit italian e bën diçka të tillë thuajse të pamundur. 36-vjeçari aktualisht renditet i pesti në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë në ‘Superbike’, me një diferencë të konsiderueshme prej 177 pikësh nga vendi i parë, që mbahet nga kampioni në fuqi, Jonathan Rea.