Willian shpreh dëshirën për të vijuar karrierën në ‘Premier League’

Sport

Një nga mundësitë më të mira që skuadrat të përforcohen pa shpenzuar shumë para është afrimi i lojtarëve me parametra zero. Një nga këta, të cilit i skadon kontrata me skuadrën aktuale, është edhe braziliani Willian. Futbollistit të Chelsea i përfundon kontrata në fundin e këtij sezoni, më saktë, më 30 qershor dhe deri më tani, 31-vjecari ende nuk ka vendosur se ku do të luajë sezonin e ardhshëm. Bisedimet me ‘blutë’ e Londrës vështirë se mund të konkretizohen me sukses, duke qenë se Willian nuk e pranon uljen e pagës së propozuar nga klubi i Abramovich. Prej kohësh është përfolur se për të kanë shfaqur interes skuadra të tjera të kryeqytetit të Anglisë, si Tottenham dhe Arsenal, teksa për të shtuar më shumë spekulimet, ka menduar vetë braziliani. Willian është shprehur se dëshiron që të vijojë karrierën e tij në ‘Premier League’, duke zbuluar në këtë mënyrë se prioritet për të do të kenë ofertat që do të vijnë nga klubet angleze. Afrimi i një lojtari si Willian me parametra zero do të ishte një goditje e rëndësishme, si për Tottenham edhe për Arsenalin, por nuk përjashtohen as skuadrat e tjera, të cilat janë të gatshme të plotësojnë kërkesat financiare të 31-vjecarit. Willian u transferua tek Chelsea në verë ne vitit 2013, kur ‘blutë’ e Londrës shpenzuan 35,5 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga Anzhi në Rusi. Gjatë këtij sezoni, ai ka qenë një element i rëndësishëm për trajnerin Frank Lampard, pasi numëron 37 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, ku ka shënuar 7 gola e ka shërbyer 6 asiste.