Georgino Wijnaldum është konsideruar si ‘xholi’ i Jurgen Klopp tek Liverpool në shumë ndeshje të rëndësishme. Mesfushori holandez ishte protagonisti kryesor në fitoren historike kundër Barcelonës në gjysmëfinalet e sezonti të shkuar në ‘Champions League’, ku ai realizoi dy gola. Por lojtari kërkon të luajë vazhdimisht si titullar dhe tek Liverpool, këtë gjë gjatë pjesës së dytë të 2019-ës nuk e ka patur të garantuar. Shumë media në Angli nxituan të raportonin se lojtari ka kërkuar largimin drejt një skuadre tjetër, ku mund të vijojë të luajë si protagonist. Në Spanjë dhe Itali, janë të shumta klubet që do të kërkonin ta kishin në organikën e ekipit një lojtar si Wijnaldum, megjithatë, skenari i largimit të tij nga ‘Anfield’ ka shumë pak gjasa të ndodhë.
Sipas asaj që raporton ‘SkySports’, Wijnaldum është i lumtur tek Liverpool dhe se nuk e mendon largimin nga kampionët në fuqi të Europës. Mesfushorit i skadon kontrata me ‘the reds’ pas 18 muajsh, por kjo gjë nuk përbën asnjë problem për të. Holandezi është i qetë dhe ka bindjen se shumë shpejt, agjentët e tij dhe drejtuesit e klubit nga Merseyside do të gjejnë një marrëveshje për rinovimin. Për më tepër, Wijnaldum kërkon të japë kontributin e tij në fitimin e titullit kampion në ‘Premier League’, çfarë sigurisht do ishte diçka historike për Liverpool, që nuk shijon fronin e Anglisë prej thuajse 30 vitesh.