Timo Werner ishte sërish vendimtar për Leipzig, teksa i dha një fitore shumë të rëndësishme skuadrës gjermane në transfertën në Londër ndaj Tottenham. Pikërisht penalltia e ekzekutuar saktë nga ana e Werner vulosi fatin e takimit dhe i dha të besuarve të Nagelsmann mundësinë për të shpresuar tek kualifikimi për në çerekfinale. Ylli gjerman ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes për shkak të paraqitjeve gjatë këtij sezoni. Në 32 ndeshje të zhvilluara këtë vit, 23-vjeçari ka realizuar plot 26 gola, si dhe ka ndihmuar shokët e skuadrës me 10 asiste. Kjo ka bërë që emri i Werner të listohet mes sulmuesve më të mirë në Europë për momentin, duke tërhequr edhe interesimin e skuadrave të mëdha për një transferim të tij. Liverpool raportohet të jetë mes klubeve që kanë shfaqur interesim konkret për të ardhmen e Werner, me trajnerin Jurgen Klopp që pëlqen shumë profilin e sulmuesit e të kombëtares gjermane.
Pas ndeshjes me Tottenham, ishte vetë Werner që u përgjigj pyetjeve të merkatos, ku pranoi se fakti që për të thuhet se interesohet klube kaq të mëdha sa Liverpool, është diçka që e bëjnë të ndihet vërtet krenar dhe i vlerësuar për atë çfarë ka dhënë në fushën e lojës deri më tani. 23-vjeçari tha se Liverpool për momentin është skuadra më e mirë në botë dhe të shohë emrin e tij që lidhet me klubin nga Merseyside, është diçka që ai as nuk e kishte menduar. Një sinjal i qartë ky se Werner është gati për të bërë hapin e radhës në karrierën e tij dhe kalimi tek Liverpool, nën urdhërat e Klopp duket si lëvizja e duhur për të. ‘The reds’ mund të shohin një largim të Firminos gjatë merkatos verore dhe pikërisht Timo Werner është parë si emri i duhur për ta zëvendësuar. Për kartonin e tij, Leipzig pretendon të paktën 70 milionë euro, por nga Anglia raportojnë se për momentin, oferta e Liverpool nuk i kalon 55 milionë eurot.