Wenger pranon se çdo trajner ëndërron të drejtojë Manchester United

Sport

Arsene Wenger ka filluar të shfaqet gjithnë e më tepër në ekranet televizive dhe tekniku francez ka pranuar se mezi pret të rikthehet në drejtimin e një skuadre. Pak javë më parë, ish-trajneri i Arsenal shprehej se e intrigonte shumë ideja për të drejtuar një kombëtare në botërorin e ardhshëm në Katar. Ndërsa së fundmi, Wenger ka lëshuar disa deklarata të tjera mjaft interesante, që kanë ndezur menjëherë spekulimet nëpër media. Duke parë formën e dobët të Manchester United, trajneri Ole Gunnar Solskjaer rrezikon që të shkarkohet nga detyra, çfarë do të vinte në lëvizje drejtuesit e ‘djajve të kuq’ për të gjetur një trajner tjetër. Wenger u shpreh se të drejtosh Manchester United është një ëndërr për të gjithë trajnerët, madje edhe për vetë francezin.

Duket se Wenger do ta shqyrtonte seriozisht mundësinë për të drejtuar United, gjithmonë nëse një ditë, drejtuesit e klubit anglez vendosin t’ja propozojnë kreun e stolit teknikut 69-vjeçar. Por Wenger shtoi se ‘djajtë e kuq’ kanë nevojë edhe për të paktën 4 blerje të tjera, që të kenë mundësi të luftojnë kundër skuadrave të tjera të mëdha në Angli dhe Europë. Tek Manchester United situata nuk duket të jetë aspak komode. Pas 6 javëve të para në ‘Premier League’, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer numëron vetëm 8 pikë, çfarë ka lëkundur jo pak pozicionin e norvegjezit në krye të stolit.