Wenger i qëndron besnik Arsenalit, thotë se Emery ka detyrë më të thjeshtë

Sport

Arsene Wenger vijon të shijojë futbollin nga televizori, pasi tekniku francez nuk është angazhuar me asnjë skuadër që pas largimit të tij nga Arsenali në qershorin e 2017-ës. 69-vjeçari ka shprehur dëshirën që shpejt të rikthehet sërish të bëjë atë që ai di më mirë, teksa veç klubeve, një alternativë interesantë për të është edhe drejtimi i një kombëtareje në botërorin e vitit 2022. Por ofertat për Wenger duket se nuk kanë munguar. Është vetë tekniku francez që deklaron se ka patur mundësinë të drejtojë sërish në ‘Premier League’, ku i janë propozuar disa oferta nga skuadra të ndryshme, të cilat Wenger vendosi të mos i zbulojë. Por 69-vjeçari thotë se mbetet besnik i Arsenalit dhe e ka shumë të vështirë të pranojë oferta nga klube të tjera angleze.

Francezi nuk nguroi të bëjë edhe një përshkrim të punës që ka bërë deri më tani tekniku aktual i ‘topçinjve’, duke u shprehur se për Unai Emery, gjërat janë shumë më të thjeshta. Wenger u ndal gjatë tek fakti që tani arritja e katër vendeve të para, që të siguron pjesëmarrjen në ‘Champions League’, konsiderohet si një sukses i madh, kjo edhe për shkak të konkurencës së lartë. Por Wenger tha se në kohën e tij, të gjitha klubet e mëdha synonin të ishin patjetër pjesë e luftës për titull, diçka që vitet e fundit po dominohet nga dyshja Manchester City dhe Liverpool. Së fundmi, ish-trajnerit të Arsenalit i është propozuar një ofertë për t’u bërë shefi i zhvillimit të futbollit në FIFA, ofertë së cilës francezi ende nuk i ka kthyer një përgjigje.