Wayne Rooney mund të kthehet në Angli…

Sport

Ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney mund të rikthehet në vendlindjen e tij. Rooney spostoi karrierën e tij gjatë verës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por tashmë ka lindur një mundësi e re për 33-vjeçarin. Derby County ka kontaktuar sulmuesin anglez dhe i ka konfirmuar interesin e klubit për ta rikthyer në Angli. Oferta e Derby-t për Rooney është ajo e një trajneri-lojtar. Pas largimit të Frank Lampard, i cili mori drejtimin e Chelseat, Derby vendosi në krye të stolit Phillip Cocu dhe Rooney shihet si partneri i duhur për të. Në këtë mënyrë Rooney do të fillonte eksperiencën e rë edhe si trajner, teksa do të vijonte të ishte aktiv edhe në fushë. Burime pranë sulmuesit anglez konfirmojnë se lojtari po e mendon seriozisht një lëvizje të tillë dhe e vetmja gjë që mund ta bëjë të hezitojë, është një rritje page ose një ofertë për të ardhmen si trajner nga DC United.

Tek klubi amerikan, Rooney numëron 43 ndeshje, ku ka realizuar 23 gola dhe ka shërbyer 14 asiste, çfarë dëshmon se 33-vjeçari mbetet ende në formë të mirë. Një transferim tek Derby do t’i jepte mundësinë të ishte pranë Cheshire, aty ku sulmuesi ka edhe shtëpinë e tij në Angli. Skuadra që është pjesë e kategorisë së dytë, ‘Championship’, aspiron që në sezonin e ardhshëm të rikthehet në elitën e futbollit anglez dhe prezenca e një figure si Rooney do t’i jepte një shtysë më shumë skuadrës. Derby ishte pranë rikthimit në ‘Premier League’ edhe në sezonin e shkuar, ku u eleminuan vetëm në finalen e fazës ‘play-off’, pikërisht në ato paraqitje që bindi Chelsean të nënshkruante me Lampard si trajnerin e ri të skuadrës.