Jadon Sancho është ndër të paktët talente në futboll që ka ruajtur vazhdimësinë sa i përket performancave të mira. 19-vjeçari anglez ishte një faktor kyç për Borussia Dortmund gjatë sezonit të kaluar, ku verdhezinjtë rivalizuan deri në fund kampionët e Bayern Munich. Paraqitjet e lojtarit nuk kaluan pa u vënë re dhe shumë skuadra të mëdha ishin të interesuara për të nënshkruar me Sancho, ku dy klubet më të përfolura ishin Manchester United dhe Real Madrid. Por siç zbuloi së fundmi drejtori i përgjithshëm i Dortmund, Hans-Joachim Watzke, ai ka refuzuar çdo ofertë për lojtarin në fjalë. Madje, Watzke thotë se ka kthyer mbrapsht edhe kërkesat për të marrë informacione për mundësinë e transferimit të Sancho.
Pa dashur të zbulojë emra, Watzke tha se drejtorë sportivë të klubeve nga më të mëdhatë në kontinent e kanë kontaktuar, por shefi i Dortmund ua ka bërë të qartë se e ardhmja e Jadon Sancho do të jetë vetëm tek skuadra verdhezi. Situata e Jadon Sancho është nga ato që duhet të ndiqet me kujdes në çdo merkato dhe pikërisht këtë po bën Watzke, i cilo thotë se po përpiqet të menaxhojë çdo gjë në mënyrën e duhur dhe duket se Sancho për momentin beson se më e mira për të është qëndrimi tek Dortmund. Sezonin e shkuar ai zhvilloi 34 ndeshje në ‘Bundesligë’ me fanellën verdhezi dhe shënoi 12 gola e shërbeu 17 asiste. Edhe në fillimin e sezonit të ri, Sancho ishte vendimtar në triumfin e Dortmund në ‘Superkupën e Gjermanisë’ përballë Bayern Munich. Sancho shënoi një gol dhe asistoi një tjetër në fitoren 2-0 ndaj bavarezëve, që i dorëzoi trofeun skuadrës së Dortmund.