James Harden i ka dhënë një tjetër pamje sulmin të Brooklyn Nets. ‘The Beard’ udhëhoqi skuadrën drejt fitores së dytë radhazi në po kaq takime të luajtura prej tij me ekipin e ri, duke mposhtur në sekondat e fundit të lojës, me rezultatin 125-123, Milwaukee Bucks. Harden ishte shënuesi më i mirë për Nets, me 34 pikë, teksa dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 12 asiste dhe 6 ribaunde. Formë të mirë shfaqi sërish Kevin Durant, i cili realizoi 30 pikë, në 35 minutat që qëndroi në parket. Milëaukee e nisi mjaft mirë sfidën, duke fituar marrë një avantazh prej 6 pikësh në fundin e periodës së parë. Brooklyn përmbysi çdo gjë dhe në fund të periodës së tretë, Nets udhëhiqnin me 5 pikë. Giannis Antetokoumpo u përpoq të ndryshonte fatin e sfidës për Bucks. Greku realizoi 34 pikë dhe ishte dominues nën tabelë me 12 ribaunde. Gjithësesi, ishte Khris Middleton ai që lëshoi gjuajtjen e fundit të ndeshjes, në përpjekjen për të fituar, por tentativa e tij për 3 pikë ishte e pasaktë.
Fitore në limitet e kohës kanë marrë edhe tek Golden State Warriors, që mposhtën 115-113, kampionët në fuqi të Los Angeles Lakers. Steph Curry e mbylli sfidën si shënuesi më i mirë me 26 pikë, vetëm 1 më shumë se sa Schroder i Lakers. Performancë të mirë bënë Oubre Jr. dhe Paschall, që së bashku realizuan 42 pikë. Vetëm 19 pikë për LeBron James, ndërsa Anthony Davis u ndal me 17 pikë dhe po aq rikuperime të topit nën tabelë. LeBron provoi t’i jepte fitoren skuadrës së tij me një gjuajtje për 3 pikë në sekondat e fundit, por që njësoj si Middelton i Bucks, rezultoi të ishte e pasaktë. Kjo ishte humbja e parë për kampionët në fuqi pas 5 fitoreve radhazi, që gjithësesi nuk i zbresin kalifornianët nga vendi i parë në ‘Konferencën e Perëndimit’.
Në takimet e tjera, Houston mori një tjetër humbje, kësaj radhe përballë Chicagos. Bulls, të udhëhequr nga Zach LaVine, i cili realizoi 33 pikë, triumfuan 125-120 ndaj Rockets, që panë edhe debutimin e Victor Oladipos. Miami fitoi me vështirësi ndaj Detroit Pistons 113-107, kurse Toronto regjistroi fitoren e tretë radhazi, pasi triumfit 116-93 ndaj Dallas Mavericks.