Vrioni, ja kush është ‘italiani’ i Shqipërisë!

Sport

vrioni
Vetëm pak ditë më parë, trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi e cilësoi si sulmuesi i ri më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Ai ka një emër italian, Xhakamo, ndërsa shqiptar ka mbiemrin, Vrioni. Dhe pavarësisht se ka lindur në Itali – në San Severino Marche -, ka pranuar të luajë për ngjyrat kuqezi. Teksa është pjesë e listës së Bushit për takimin zyrtar të eleminatoreve të Europianit me Spanjën, si dhe për miqësoren me Italinë, që luhet të martën në Kaljari. Aktualisht aktivizohet me Venecian në Serinë B italiane, aty ku ka ardhur në huazim nga Sampdoria, pas kampionatit të shkëlqyer që luajti në Serinë C me Pistoiezen.  Po si mbërriti deri në seleksionin U-21 të Shqipërisë? Ai ka nënshtetësi të dyfishtë, falë prindërve të tij. Vrioni, në fakt është një mbiemër i përhapur jo pak në vendin tonë. Madje, këtë mbiemër, mban edhe një nga familjet aristokrate më të famshme këtu tek ne.

xhakomo

Për më tepër, dy nga pjesëtarët e kësaj familjeje, Iljaz Bej Vrioni dhe Sami Bej Vrioni, janë edhe mes firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n. Mirëpo duket se ky grumbullim me Shpresat kuqezi nuk ia mohon Xhakomos mundësinë për të veshur në të ardhmen fanelë e Italisë. Vetëm nëse një ditë do t’i vijë thirrja e Kombëtares së madhe të Shqipërisë, atëherë sulmuesi duhet të marrë një vendim se për cilën përfaqësuese do të luajë. Faktikisht, Vrioni ka veshur në të kaluarën fanelën e seleksioneve të moshave të Italisë, duke numëruar 2 ndeshje me ‘Under 18’, si dhe 4 paraqitje me U-19-n, ku gjithashtu ka shënuar një gol. Nuk është aktivizuar me U-21-shin, me të cilën pritet të luajë të martën. Por, si kundërshtar!