Volejboll, vajzat kuqezi fitojnë të parën evropiane në Tblisi

Sport

shiopgee

Një start i mbarë i Ligës së Evropës nga kombëtarja shqiptare e volejbollit për femra. Vajzat e trajnerit Altin Mërtiri morën të dielën një sukses spektakolar 3-0 kundër Gjeorgjisë, brenda në Tbilisi. Një paraqitje e shkëlqyer nga ana e përfaqësueses kuqezi, që arriti të fitojë me meritë të trija setet 25-16, 25-18 dhe 25-22.
Mërtiri hodhi në fushë një ekip të kolauduar mirë, që diti të kalojë me sukses edhe momentet e vështira, sidomos në setin e tretë atëherë kur Gjeorgjia arriti të udhëheqë deri në 21-18. Por në atë moment vajzat tona ditën të reagojnë, duke bërë 7 pikë kundrejt vetëm 1 të kundërshtareve.
Bëhet fjalë për një triumf, që padyshim nxit Erblira Bicin me shoqe për të vazhduar më tej paraqitjet pozitive në këtë turne evropian që tashmë do të vijojë me ndeshje të tjera, duke nisur që nga e mërkura në Tiranë, përballë Austrisë. Ndryshe nga femrat, Kombëtarja e meshkujve e drejtuar nga Jani Metka është mundur po të dielën 3-0 në Minks nga Bjellorusia, në ndeshjen e parë të Grupit B, e vlefshme për Ligën e Evropës.