Një ofertë e ardhur nga kampionati kinez mund ta bëjë Gareth Bale futbollistin më të paguar në botë. Konkretisht, sipas asaj që ka raportuar britanikja “Mirror”, uellsianit i është propozuar një pagë prej 1.1 milionë eurosh në javë nga skuadra e Pekin Guoan. Ofertë që me të vërtetë shkon përtej çdo logjike, por që nëse do të pranohej prej tij, do ta shndërronte në lojtarin më të paguar në historinë e futbollit, duke kaluar dhe Leo Messin.
“Pleshti” përfiton te Barcelona 24 milion euro në vit ndërsa Bale në total në një vit do të përftojë rreth 52 milion euro, një shumë që është gati 3-fishi i asaj prej 17 milionë eurosh që anësori uellsian merr në vit në ‘Santiago Bernabeu’. Zinedine Zidane pranoi se Real Madrid po kërkon ta shesë anësorin pasi nuk e përfshiu në skuadër me Bayern Munchen të shtunën në mbrëmje. I vetmi problem është se të gjithë klubet që kërkojnë shërbimet e Bale e duan mundësisht me formulën e huazimit, pa dashur të paguajë për kartonin e tij. Gjë që Realit për momentin nuk i leverdis. Gjithsesi për momentin mund të thuhet se uellsiani është duke reflektuar mbi të ardhmen e tij dhe ideja primare është të qendrojë në futbollin e rëndësishëm të Evropës. Po natyrisht që oferta e ardhur nga Kina do ta bëjë të mendohet jo pak. Fundja ai është në mosjën 30 vjeçare dhe mundësi e tillë për të fituar kaq shumë, ndoshta nuk i vjen më.