Vitet ikin por Messi mbetet një robot i pandalshëm

Sport

mesiiii 550x295

Lionel Messi nuk di se si ulet gazi dhe as që ka ndërmend ta bëjë këtë. Sulmuesi i Barcelonës është 29 vjeç, por ende nuk ka dhënë qoftë një shenjë lodhjeje. “Pleshti” ka shënuar 29 gola në 27 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon. Ai ka dështuar të gjejë rrugën e rrjetës vetëm në shtatë sfida, teksa në të tjerat ka shënuar rregullisht dhe ka treguar se vazhdon të jetë një lojtar vendimtar për katalanasit. Shifrat e tij veçse janë sheqerosur me kalimin e viteve, kur mjafton të kujtosh se në janarin e kaluar ai kishte shënuar tetë gola më pak.

Këtë sezon, 5-herë fituesi i “Topit të Artë” ka shtuar pesë dygolësha dhe dy tregolësha në repertorin e tij unik, teksa ka shënuar në nëntë nga dhjetë ndeshjet e tij të fundit. Për më tepër, ai ka dhënë nëntë asiste. Messi është në formën ideale edhe në La Liga, edhe në Ligën e Kampionëve, me 15 dhe 10 gola të shënuar në kompeticionet respektive. Ai gjithashtu ka fituar besim nga pika e bardhë e 11-metërshit – diçka që së fundmi ishte kthyer në një makth për të – duke shënuar katër gola në po kaq penallti që ka gjuajtur.

Messi, Messi, Messi – u bë diçka e mërzitshme? Jo, sepse ai është si një shef kuzhine i aftë për të servirur çdo lloj pjate. Dhe nëse po mendoni për diçka pikante, ju rikthejmë te kampioni në fuqi i Spanjës, i cili sivjet po shkëlqen edhe me goditjet e dënimit në La Liga. Bashkë me Cristiano Ronaldo-n dhe Sandro-n, Messi ka shënuar më shumë gola se çdo lojtar tjetër nga jashtë zone. Ai vendos standarde duke i detyruar rivalët e tij që ta ndjekin. Epo, jo më kot njerëzit ende pyesin nëse bota ka pasur një tjetër Messi në histori./ Telesport