Vit i rekordeve për Bayernin

Sport

Bayern 653x380 550x320

Viti 2016 shënoi rekorde të panumërta për Bayern München-in. Edhe pse bavarezët u ndalën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve nga Atletico Madrid, në Gjermani ata qenë standardi i gjithçkaje. Në maj, Philipp Lahm me shokë u kurorëzuan për të katërtin sezon radhazi kampionë të Bundesligës, diçka që tashmë ka filluar të bëhet gati e mërzitshme.

Klubi sot është kujdesur të publikojë përmbledhjen vjetore të skuadrës, duke kujtuar disa nga statistikat e veta më domethënëse.

Bayern München qëndroi i pamposhtur në gjashtë ndeshje në shtëpi në Ligën e Kampionëve. Rekordmenët fituan të gjitha përballjet evropiane në “Allianz Arena”, duke shënuar 17 gola dhe duke pësuar vetëm katër. Deri tani, bavarezët kanë 15 ndeshje radhazi në shtëpi pa asnjë humbje, më shumë se çdo skuadër tjetër evropiane.

Një tjetër shifër interesante është fitorja 6-0 ndaj Werder Bremen-it në nisjen e kampionatit, që është rezultati më i thellë i vitit. Sakaq, Bayern München sivjet ka fituar katër herë 5-0.

Thomas Müller është lojtari me më shumë asiste në Bundesligë, me 13 të tilla. Përveç kësaj, ai ka shënuar 15 gola. Pas kampionit të botës, Yunus Malli (Mainz) është lojtari i vetëm i cili ka arritur një numër dyshifror edhe me gola, edhe me asiste, duke shënuar dhe përgatitur nga 11.

Ndërkohë, numri i ndeshjeve në të cilat Manuel Neuer e ka mbajtur portën e paprekur është 17, shifra më e mirë në Gjermani deri tani. Kampionët kanë pësuar 18 gola në 33 ndeshje, gjithashtu një statistikë si asnjë ekip tjetër gjerman.

Këtë vit Robert Lewandowski ka shënuar 39 gola në 49 ndeshje, duke kaluar me një gol të dhënat e tij personale të vitit të kaluar. Lojtari i fundit i 25-herë kampionëve të Gjermanisë i cili ka arritur të shënojë po kaq gola në një vit është Mario Gomez (43 rrjeta në 46 ndeshje në vitin 2011).

Në Bundesligë, rekordin e më shumë ndeshjeve të luajtura në 365 ditë e mban portieri Neuer (50). Ndeshja e vetme në të cilën ai nuk ka qenë në fushë është transferta në Rostov, ku rekordmenët humbën 3-2, njofton telesport.

Bayern München sivjet ka shënuar 72 gola në kampionat, më shumë se çdo skuadër tjetër. Skuadra e teknikut Carlo Ancelotti ka fituar 81 pikë. Kjo është shifra më e lartë për Bundesligën, e arritur edhe me ndihmën e katalanasit Pep Guardiola. 45-vjeçari në fund të qershorit la Mynihun për t’u transferuar te Manchester City, aty ku deri tani ka punuar mjaft mirë, por jo aq sa për të kapur kreun e tabelës në Premier League. Ndryshe prej tij, Don Carlo ia ka arritur, ndonëse kjo nuk është një surprizë.