Vinicius zbulon mbështetjen që i ka dhënë trajneri Zidane

Sport

Vinicius Junior është nga ata të rinj që ka impresionuar me paraqitjet e tij, pavarësisht se luan për një klub ku presioni është mjaft i madh, si Real Madrid. Braziliani ka pranuar se është i lumtur me aventurën e tij tek ‘los blancos’ dhe se trajneri Zidane për të është një mbështetje shumë e madhe. Sezonin e shkuar, Vinicius ia doli të gjente rrjetën 4 herë, si dhe të ishte protagonist me 6 asiste për Real Madrid në takimet e kampionatit dhe të kupës në Spanjë, derisa u ndal nga një dëmtim në ‘Champions League’. Talenti brazilian është vlerësuar edhe si një nga lojtarët që mund të krijojë më shumë raste, duke parë aftësinë e tij për të dribluar me topin, për të cilën është krahasuar shpesh edhe me Neymar.

Së fundmi ai pranoi se është i gatshëm të bëjë çdo gjë për Real Madridin dhe se ka dëshirë të jetë pjesë e ‘los blancos’ për një kohë shumë të gjatë. Garancinë për këtë duket se ia ka dhënë trajneri Zinedine Zidane, pasi siç zbuloi vetë Vincius, francezi është ai që e shtyn të japë gjithmonë më të mirën e tij.”Të luash në vazhdimësi dhe të jesh pjesë e Real Madrid nuk është e thjeshtë. Por këtu kam gjetur mbështetjen e duhur për t’u përmirësuar. Trajneri Zidane është gjithmonë i gatshëm të më ndihmojë dhe ai beson se unë kam cilësitë për të qenë pjesë e Realit për një kohë të gjatë, si Marcelo apo Casemiro.”Vinicius Junior u ble nga Real Madrid kur ishte vetëm 16 vjeç dhe aktivizohej në radhët e Flamengos. Transferimi zyrtar i lojtarit u bë vetëm në verën e vitit të kaluar, kur madrilenët derdhën në arkat e skuadrës braziliane plot 45 milionë euro.