Real Madrid mori një fitore mjaft domethënëse për sezonin e tyre, teksa mposhtën 2-0 në ‘el Classico’, rivalët e përjetshëm të Barcelonës. Të besuarit e Zidane dhanë një performancë krejt ndryshe nga ajo në ‘Champions League’ ndaj Manchester City, duke iu falur golave të Vinicius Jr dhe Mariano Diaz. Ishte pikërisht Vinicius ai që kaloi në avantazh madrilenët, i cili në goditjen e tij, u ndihmua edhe nga një devijim i Pique. Braziliani u bë lojtari më i ri në shekullin e 21 që shënon gol në ‘el Classico’, duke thyer kështu rekordin e Messit. Vinicius realizoi golin e tij ndaj Barcelonës në moshën 19 vjeç e 233 ditë, vetëm 26 ditë më i ri se sa ylli i Barcelonës, Lionel Messi, që në moshën 19 vjeç e 259 ditë në vitin 2007, shënoi një tripletë për katalansit. Vinicius ka qenë i mbërthyer nga kritikat në javët e fundit, por talenti brazilian ka patur gjithë mbështetjen e trajnerit Zidane, që ka kërkuar të largojë presionin nga 19-vjeçari.
Sa i përket ‘el Classico’-s, golin e dytë e realizoi Mariano Diaz, që u fut në lojë si zëvendësues. Edhe sulmuesi me origjinë nga Republika Domenikane shënoi një rekord më vete, pasi ai gjeti rrjetën 50 sekonda nga futja e tij në fushë. Kështu, triumfi i Realit të Zidanë në ‘Santiago Bernabeu’ do të shënohet me gërma të arta në këtë sezon, pasi tashmë ‘los blancos’ kanë rimarrë kryesimin e klasifikimit në ‘La Liga’ dhe pikërisht kjo përballje direkte me katalanasit mund të jetë vendimtare në llogaritë e fund-sezonit.