E ardhmja e Real Madrid duket në duar të sigurta. Në “Santiago Bernabeu” po formohet një lojtar i jashtëzakonshëm. Një lojtar, i cili ndonëse vetëm 22 vjeç, është kthyer nga më të rëndësishmit e formacionit të Los Blancos dhe forma e tij, sa vjen e përmirësohet.
Fjala është për Vinicius Junior, me brazilianin që po luan sezonin e tij të 5-të me kampionët e Europës, mirëpo duhet thënë se në dy të fundit, performancat e tij në fushën e lojës, kanë qenë të një tjetër niveli.
Për t’u futur më në brendësi të situatës, në dy edicionet e fundit, në 97 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, Vinicius ka kontribuar gjithësej me 79 gola, duke përfshirë këtu finalizimet dhe asistimet.
Mirëpo, në veçanti, forma e Vinicius ka qenë e përkryer në Champions League. Ai ishte thelbësor në edicionin e kaluar, teksa në finale ndaj Liverpool, shënoi edhe golin e fitores, që i siguroi Realit, trofeun e 14-të të Champions League.
Për të kuptuar kapërcimin, apo ngjitjen që Vinicius ka bërë në karrierë, mbetemi në dy edicionet e fundit të Champions League, aty ku braziliani ka nisur të kthehet në një “komandant” të kompeticionit.
Duke nisur nga sezoni 2021/22, mes 1917 lojtarëve që kanë marrë pjesë në Champions, Vinicius është asistuesi më i mirë, me 10 pasime për gol. Gjithashtu, anësori i sulmit është futbollisti që ka kryer më shumë driblime të sakta, 68. Është lojtari që ka dhënë më shumë pasime vendimtare, 47.
Më tej, Vinicius është lojtari që ka fituar më shmë duele një për një, plot 143. Nuk mbaron me kaq, sepse Vinicius është lojtari, ndaj të cilit, kundërshtarët kanë shkaktuar më shumë ndërhyrje të parregullta, 43. Përgjatë kësaj kohe, ai ka kontribuar me 20 gola dhe assist në Champions Leagtue dhe për këtë renditet në vendin e 3-të.
Thënë ndryshe, Vinicius Jr po hedh themelet për t’u bërë një legjendë e ardhshme e futbollit në përgjithësi dhe e Real Madrid në veçanti.