Vinicius Junior është gati të sfidohet me Kylian Mbappe. Ky i fundit, ndonëse jo në mënyrë zyrtare, ka njoftuar klubin e PSG që do të largohet në fund të sezonit.
Pashmangshmërisht, e ardhmja e francezit duket tek Real Madrid, me sagën që ka vazhduar prej disa vitesh, por duket që këtë herë po vjen drejt fundit.
Mediat kanë filluar të flasin për numrin që Mbappe do të mbajë mbi shpinë në Santiago Bernabeu. Ylli parizien preferon numrin 7, një numër ikonë në klubin madrilen, që përgjatë këtij shekulli e kanë mbajtur emra legjendarë sikurse janë Raul Gonzales, apo Cristiano Ronaldo. Këtë sezon, 7-ten e ka marrë pikërisht Vinicius.
Pavarësisht bujës së madhe që pritet të shkaktojë ardhja e Mbappe në Madrid, Vinicius është i qartë në misionin e tij. Ylli brazilian, nuk e shikon veten në plan të dytë pas ardhjes së Mbappe. Madje , ai dëshiron të jetë një lider në Bernabeu dhe të shkruajë historinë me 14 herë kampionët e Europës dhe këtë ta bëjë duke mbajtur mbi shpinë një numër emblematik sikurse është 7-ta.
Në kushte si këto, Mbappe duhet të zgjedhë një tjetër numër, pasi Vinicius nuk ka ndërmend të bëjë një hap pas në këtë drejtim.
Anësori i sulmit është pjesë e Realit që prej 2018-tes dhe roli i tij në skuadër ka ardhur duke u rritur. Sezoni pas sezoni, 23 vjeçari ia ka dalë të bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm për 35 herë kampionët e Spanjës.