Angel Maria Villar nuk do të jetë më zëvendës-president i UEFA-s dhe FIFA-s. 67-vjeçari, i cili drejtonte edhe Federatën Spanjolle të Futbollit, ka paraqitur përmes një letre doërheqjen nga postet e tij. E gjitha vjen pak ditë pas arrestimit nga autoritetet spanjolle që e akuzojnë atë për korrupsion dhe shpërdorim fondesh. Villar, i cili i ka mohuar të gjitha akuzat, është pezulluar me 1 vit nga Federata spanjolle, kjo në pritje të ecurisë së hetimeve. Në vend të tij është emëruar Juan Luis Larrea. Ndërkohë letrën ku Villar kërkonte dorëheqjen e ka bërë me dije Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Ky i fundit thuhet se e ka pranuar dorëheqjen e 67-vjecarit, duke e falenderuar për kontributin në ngritjen edhe më lart të futbollit. BBC raportoi se e njëjta letër i është dërguar edhe Gianni Infantinos në FIFA. Villar, ish-mesfushor i Athletic Bilbaos, ka qenë në krye të futbollit spanjoll që prej viti 1988. Ai sapo ishte rizgjedhur në procesin e zhvilluar në muajin maj, proces që hasi mjaft kontestime dhe ku pretendua se prej tij qe përdorur posti për të ndikuar te delegadët. I arrestuar me të njëjtat akuza sikurse Villar, është edhe djali i tij Gorka, i cili në Federatë ka pasur gjithashtu detyra të larta ekzekutive. Ndërkohë sipas shtypit spanjoll, letra e Villar, vjen pak ditë pasi ishte theksuar se kodi i ri i Etikës në FIFA, e ndalonte vazhdimin e ushtrimit të punës në rastet nisjes së hetimeve për çfarëdolloj cështjeje.