Sergio Aguero është një nga sulmuesit më të vlerësuar të viteve të fundit, kjo edhe për shkak të rendimentit që ka treguar argjentinasi sezon pas sezoni. 31-vjeçari është vlerësuar në maksimum edhe nga një prej mbrojtësave më të mirë të Manchester United, Nemanja Vidic. Ish-mbrojtësi serb ka patur mundësinë të përballet me disa prej sulmuesve më të mirë në qarkullim, por për Agueron, Vidic flet me elozhe të mëdha. Madje ish-lojtari i Manchester United nga viti 2006 në 2014-ën, u shfaq i bindur se Aguero në fakt ka lindur si një mbrojtës. Vidic shpjegoi se Aguero ishte nga të paktët sulmues që mund të lexonte shumë mirë lojën apo pasimet e kundërshtarëve. Praktikisht, argjentinasi mendon si një mbrojtës dhe kjo e bën të jetë më i shpejtë se linja e prapavijës kundërshtare.
Sipas Vidic kjo është një aftësi që Agueron e ka ndihmuar shumë për suksesin që ka arritur. Serbi u ndal edhe nga përballjet direkte që ka patur me sulmuesin argjentinas.Vidic kujton se edhe në ato momente kur Aguero dukej i lodhur, krejt papritur vraponte aq shpejt sa të zhdukej nga sytë, duke i detyruar shpesh mbrojtësit e Manchester United dhe jo vetëm, të shkaktonin faulle dhe të ndëshkoheshin me kartona të verdhë. Ndërsa kur është brenda zonës, Vidic tha se Aguero duket se nuk e ka problem gravitetin dhe mund të ndryshojë lëvizjet dhe drejtimin me një lehtësi që ai nuk e ka parë as tek lojtarë si Messi apo Suarez. Sergio Aguero u bë pjesë e Manchester City në verën e vitit 2011, kur skuadra angleze shpenzoi 40 milionë euro për të marrë shërbimet e tij nga Atletico Madrid.