Victor Osimhen mund të qëndrojë tek Napoli. Pavarësisht se është folur shumë, se sulnmuesi do të largohet në fundin e këtij sezoni nga skuadra kampione e Italisë, mesa duket, vetë lojtari ka ndryshuar mendje.
Në nisje të këtij edicioni, nigeriani pati krisje marrëdhëniesh me trajnerin Rudi Garcia, apo edhe një ngërç me Napolin, për shkak të një videoje të shpërndarë nga vetë klubi në rrjetet sociale, që ironizonte lojtarin.
Megjithatë, e gjithë kjo situatë është hedhur pas shpine, e ndoshta, personazhi në fjalë, mund të jetë duke e parë të ardhmen në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet goleadori shtatlart. “Tek Napoli ndihem shumë mirë, në veçanti kur shënoj gola, por sidomos kur një gjë e tillë ndodh në stadiumin “Maradona”. Tifozët janë fantastic, pasi njerëzit këtu janë tmerrësisht të dashuruar pas futbollit”, ka deklaruar ndër të tjera 24 vjeçarit.
Sa i përket kontratës aktuale, ajo përfundon në verën e 2025-tës. Përgjatë kohëve të fundit, klubi dhe lojtari kanë qenë në bisedime për të rinovuar, por mbet për t’u parë se ç’do të rezervojë e ardhmja në lidhje me këtë çështje.
Më tej, i pyetur rreth “Topit të Artë”, Osimhen nuk e ka fshehur ambicien se një ditë do të donte të konfirmohej si lojtari më i mirë në botë. Megjithatë, synimi i tij është të vazhdojë të luajë në nivele të larta.
Në sezonin e kaluar Osimhen ishte një nga gurët e themelit të rrugëtimit të Napolit drejt titullit kampion. Me 26 finalizime, nigeriani u shpall golashënuesi më i mirë i Serie A, ndërsa edhe këtë edicion futbollistik, të dhënat janë pozitive. Në 8 ndeshje, sulmuesi ka arritur të shënojë plot 6 herë.