Victor Osimhen ka zbuluar dy skuadrat e preferuara në Premier League

Sport

Victor Osimhen ka zbuluar dy skuadrat e preferuara në Premier League. Në dalje të fundit mediatike, sulmuesi i Napolit ka treguar se kur ishte fëmijë, ndër të tjera, ai ka pasur edhe dy fanella të dy klubeve angleze. Konkretisht të Chelsea dhe Manchester United.

Nuk dihet nëse kjo deklaratë e nigerianit do të shërbejë si një stimul për klubet në fjalë që të nisin lëvizjen e gurëve për të nënshkruar me lojtarin përgjatë verës së ardhshme, por zëra kanë nisur të qarkullojnë. Kontrata e Osimhen me Napolin përfundon në verën e 2025-tës dhe spekulimet gjatë kësaj kohe për një largim të mundshëm të lojtarit nga kampionët e Italisë kanë qenë të shumta.

Për muaj me radhë, Napoli dhe Osimhen kanë qenë vazhdimisht në bisedime për një kontratë të re, por çështja vijoi të diskutohej shumë gjatë. Megjithatë, në rrugë e sipër, situata nisi të merrte një tjetër rrjedhë, sidomos pas ardhjes së trajnerit Rudi Garcia. Më tej, nuk munguan as përplasjet mes lojtarit dhe klubit të Napolit, aqsa në një moment, u duk sikur largimi i lojtarit nga Maradona do të ishte ie sigurt, e madje kjo do të ndodhte që në merkaton e Janarit.

Gjithësesi, për momentin situata duket sikur është qetësuar në njëfarë mënyre. Osimhen nuk ka dhënë më sinjale largimi, të paktën për të ardhmen e afërt, por kjo do të mbetet një çështje e hapur, derisa të qartësohet në mënyrë përfundimtare.

Për momentin, Victor Osimhen nuk është në dispozicion të Napolit. Prej disa javësh, lojtari vuan nga një tërheqje muskulore dhe si pasojë vijon të jetë jashtë fushave të lojës. Koha e rikthimit të tij në tapetin e gjelbërt mbetet e papërcaktuar, por në kampin e napoletan besojnë se momenti më i vështirë ka kaluar dhe nuk pritet të jetë e largët dita kur futbollisti në fjalë të jetë sërish në dispozicion të skuadrës së Napolit.