Victor Osimhen jep sinjale qëndrimi: S’kam parë një ndonjë qytet kaq të çmendur pas futbollit

Sport

Victor Osimhen jep sinjale qëndrimi tek Napoli. Sulmuesi i kampionëve të Italisë, është një prej emrave më të komentuar të merkatos së kësaj vere. Klube me peshë të kontinentit interesohen për të, me Bayern Munich disi më të avantazhuar sesa të tjerët.

Megjithatë, në një intervistë mediatike të dhënë së fundmi, nigeriani ka lënë të kuptohet se ai nuk do të largohet nga stadiumi “Diego Armando Maradona”, të paktën këtë verë.

“Asnjëherë nuk kam parë një qytet kaq shumë të çmendur pas futbollit sa napolitanët. Ata kanë një dashuri pa kushte për secilin futbollist. Kudo që shkoj, më respektojnë në maksimum. Fëmijët më duan, po ashtu edhe më të rriturit. Kjo tregon se unë kam punuar në mënyrën e duhur. Për mua nuk ka vend më të mirë sesa këtu për të luajtur futboll. Do të punoj fort për të fituar më shumë. E gjithë vëmendja ime është përqendruar tek titujt. Scudetto ishte trofeu i parë. Po pres me padurim sezonin e ardhshëm, për të fituar edhe më shumë”, kanë qenë disa prej fjalëve të nigerianit, që mund të konsiderohen si provë e mjaftushme se ai do vazhdojë të luajë ende për Napolin.

Në kushte si këto, mediat italiane, raportojnë se Napoli ka nisur nga puna për të rinovuar kontratën me Osimhen, me marrëveshjen aktuale që përfundon në verën e 2025-tës. Në paketën e re, parashikohet gjithashtu edhe një përmirësim i termave finanfiarë. Nga 4.5 milionë euro që përfiton aktualisht, të ardhurat e Osimhen do të rriten deri në 6 milionë euro.

Në këtë aspekt nuk pritet të ketë ndonjë problem, por ngërçi mund të dalë pikërisht në një klauzolë që vetë futbollisti kërkon të jetë e vlefshme në kontratën e re. Osimhen synon t’i ketë kushtet të favorshme, në mënyrë që largimi nga Napoli të jetë në dorën e tij dhe të mos varet nga klubi.