E ardhmja e Victor Osimhen quhet Galatasaray. Pas shumë përpjekjeve, pritshmërive, apo lajmeve të shumta në merkato, në fund, sulmuesi i qendrës, u bë pjesë e një klubi, që për asnjë moment, nuk ishte pjesë e listës. Nigeriani është transferuar në radhët e kampionëve të Turqisë, atje ku do të qëndrojë për një vit në huazim, deri në verën e 2025-tës. Napoli dhe Galatasaray kanë gjetur gjuhën e përbashkët, që e gjithë paga e futbollistit, 10 milionë euro në sezon, të paguhet nga klubi turk. Megjithatë, qëndrimi në Turqi mund të rezultojë vetëm për një gjysmë sezoni, sepse nuk përjashtohet mundësia që afrikani të largohet edhe përgjatë merkatos së Janarit, nëse vjen ndonjë ofertë e kënaqshme, që ta rikthejë atë në elitën e futbollit europian, e për më tepër, të luajë edhe në Champions League. Megjithatë, nëse diçka e tillë do të ndodhë ose jo përgjatë merkatos së dimrit, kjo mbetet për t’u parë, por ajo që mund të thuhet me siguri, është fakti se me Victor Osimhen, Galatasaray është përforcuar jashtëzakonisht shumë në sulm, duke marrë parasysh që pjesë e atij reparti janë edhe Mauri Icardi, Mertens, Batshuai, Ziyech.
Sa i përket situatës me Napolin, Osimhen ka rinovuar kontratën deri në 2027-tën, ndërsa në në brendësi të marrëveshjes është vendosur një klauzolë e re, që prej shifrën e 75, apo 80 milionë eurove, në mënyrë që në verën e ardhshme, shitja e sulmuesit të jetë më e lehtë, apo më e përballueshme financiarisht për klubet e tjera.