Vettel rigjen fitoren, Ferrari dominon në garën e Singaporit

Sport

Pas plot 22 garash, më shumë se 1 vit pritje, Sebastian Vettel është rikthyer të fitojë një garë në ‘Formula 1’. Piloti gjerman e përfundoi në vendin e parë garën për ‘Çmimin e Madh’ të Singaporit, duke arritur një triumf shumë të rëndësishëm për të, sidomos nga ana psikologjike. 4 herë kampioni i botës e niste nga vendi i tretë, por ia doli të merrte kryesimin e garës falë strategjisë së Ferrarit, duke lënë pas vetes shokun e tij të skuadrës. Charles Leclerc e nisi nga ‘pole-position’, por iu desh të kënaqej me vendin e dytë, ndonëse piloti monegask e shfaqi hapur se nuk i pëlqeu mënyra se si pozicioni i tij iu lëshua Vettel pas ndalesave në bokse. Podiumi ndërkohë u plotësua nga Max Verstappen me ‘Red Bull’, që la pas vetes dy pilotët e Mercedes, Leëis Hamilton dhe Valtteri Bottas.

‘Shigjetat e argjendta’ vijojnë të shfaqin vështirësi në ritmin e tyre, ndonëse për momentin situata në renditjen e përgjithshme i lë të qetë. Për herë të parë në Singapor, një skuadër fiton me të dyja vendet e para, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë në 11 garat e mëparshme në këtë pistë. Ndërsa pjesa e dytë e garës së këtij viti kishte ulje të shpeshta të ritmit, për shkak të ndërhyrjes së makinës së sigurisë, çfaër në fakt i dhanë mundësi Vettel të menaxhonte si duhet situatën. Sa i përket renditjes, Hamilton vijon të kryesojë me 296 pikë, teksa distanca me Bottas të vendit të dytë është rritur në 65 pikë. Ndërkohë që Leclerc dhe Verstappen janë të dy në kuotën e 200 pikëve. Kurse tek konstruktorët, Mercedes vijon të udhëheq me 527 pikë, 133 më shumë se sa italianët e Ferrarit që po përpiqen të rikuperojnë sa më shumë.