Lufta për titujt në ‘Formula 1’ duket se edhe këtë vit do të fitohet nga Hamilton e Mercedes. Diferencat mes pilotit britanik dhe ndjekësit të tij më të afërt, Vettel, janë vërtet të mëdha dhe një skenar që do përmbyste rezultatin duket thuajse i pamundur. Vetë piloti i Ferrarit, ka thënë gjatë provave të lira në Suzuka se nuk e mendon aspak klasifikimin pët titullin kampion, por thotë se është i përqendruar në garën e ardhshme. Vettel mendon se Ferrari tashmë duhet t’i marrë garat njëra pas tjetrës, e të përpiqet të marrë më të mirën e mundshme nga makina e tyre.
Në fakt, edhe në provat e lira, gjermani zhgënjeu të jepte kohë të mira në Japoni, ku në setin e parë të provave e mbylli plot 0.8 sekonda më shumë se Hamilton, që ishte më i shpejti. Piloti i Ferrarit duket se ka zbuluar edhe problemin që nuk ka lënë makinën e tij të shprehet si në pjesën e parë të sezonit, çfarë sipas tij ka ndikuar edhe në garat e fundit. Konsumi i gomave mbetet një problem serioz për skuderinë italiane. Vettel thotë se në krahasim me thuajse gjithë makinat e tjera, Ferrari është ajo që konsumon më shumë gomat, çfarë nuk i lejon piloët e tyre të kenë vazhdimësi në xhirot e shpejta.