‘Formula 1’ ka ndryshuar vërtet shumë me kalimin e viteve. Rregulla të reja, masa sigurie dhe ndryshime mekanike e vizuale nëpër njëvendëshe. Kjo gjë duket se nuk i pëlqen dhe aq shumë pilotit të Ferrarit, Sebastian Vettel. Teksa debati për penalltinë e akorduar ndaj tij është ende i nxehtë, Vettel gjeti rastin të thoshte se ‘Formula 1’ nuk është më ai sporti që gjermani dikur adhuronte. Ferraristi tha se gjithmonë i kanë pëlqyer garat e para 15 apo 20 viteve, makinat dhe pilotët e asaj kohe. Sipas Vettel, në atë periudhë në ‘Formula 1’ kishte më shumë konkurencë mes skuadrave dhe nuk kishte diferenca të tilla siç ekzistojnë sot. Pilotët ishin më të lirshëm gjatë garës dhe nuk ishte e detyruar të flisje në gjuhë zyrtare në bisedat në radio. Detaje këto që sipas Vettel kanë larguar disi pasionin e njerëzve për këtë sport.
Vettel shpjegoi edhe njëherë incidentin e shumëpërfolur në garën e Kanadasë, ku përsëriti fjalët e thëna më parë se ai nuk kishte se çfarë të bënte më shumë në atë situatë, pasi makina e tij kishte dalë jashtë kontrollit. Piloti gjerman u shpreh se komisarët e garës gabuan me vendimin e tyre për ta penalizuar, por pranoi se incidenti mund të marrë interpretime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Në renditjen e përgjithshme për pilotë, Lewis Hamilton udhëheq me 162 pikë, i ndjekur nga shoku i tij tek Mercedes, Valteri Bottas me 133 pikë. Ndërsa Vettel qëndron në vendin e tretë, me vetëm 100 pikë dhe asnjë fitore në 7 garat e para të këtij sezoni të ‘Formula 1’.