Një gabim i Vettel dhuron fitoren e Hamilton

Sport

Ndonëse dukej se ishte gara e rikthimit të Ferrarit, Kanadaja është kthyer në një tjetër zhgënjim të madh për këtë sezon të skuderisë kokëkuqe. Lewis Hamilton triumfoi në cirkutitin Gilles Villeneuve, me pilotin e Mercedes që përfitoi nga një penalitet prej 5 sekondash të Sebastian Vettel. Piloti kryesor i Ferrarit udhëhiqte garën që nga starti dhe po bënte mjaft mirë deri në momentin e ndërrimit të gomave. Me vendosjen e gomave të forta, ishte Mercedes që po paraqitej më mirë dhe Hamilton ia doli t’i afrohej gjermanit. Ky i fundit, i gjendur nën presion, gaboi në ‘shikanen’ e parë, duke dalë jashtë piste dhe duke u rikthyer në mënyrë të rrezikshme sipas komisarëve të garës. Në momentin e rikthimit në pistë, Vettel i mbylli trajektoren Lewis Hamilton, i cili vinte me shpejtësi dhe u desh të bënte një frenim të fortë.

Pas hetimeve, komisarët e garës vendosën ta ndëshkonin Sebastian Vettel me 5 sekonda, çfarë ia bëri shumë të thjeshtë Lewis Hamilton për të menaxhuar situatën e për të fituar. Podiumi ndrërkohë u plotësua nga piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc, i cili la pas vetes Valteri Bottas dhe Max Verstappen. Paraqitje të mirë bëri edhe skuadra Renault, që pa pilotët e saj të mbyllnin në vendet 6 e 7. Pas përfundimit të garës, Vettel në shenjë proteste nuk e dërgoi makinën aty ku supozohej të qëndronin njëvendëshet e podiumit, ndërsa u desh ndërhyrja e shefit të Ferrarit, Mattia Binotto, që gjermani të pranonte të dilte në ceremoninë e trofeve. Me këtë rezultat, Hamilton thellon diferencat në krye të renditjes së përgjithshme, ku numëron 162 pikë, 29 më shumë se shoku i tij i skuadrës tek Mercedes, Valteri Bottas.