Vetëm pak ditë pjesë e Barcelonës, Ilkay Gundogan mund të largohet me parametra zero

Sport

Ndoshta mund të tingëllojë e çuditshme, por Ilkay Gundogan mund të largohet nga Barcelona, ndonëse nuk ka më tepër se një muaj që është transferuar në klubin katalanas. Për shkak të problemeve financiare Barcelona ka regjistruar vetëm 13 lojtarë, ndërsa nuk ka mundur të regjistrojë dot në La Liga plot 11 të tjerë, e pjesë e kësaj liste është edhe Gundogan

Sipas mediave të huaja, në kontratën e mesfushorit ekziston një klauzolë, që nëse ai nuk regjistrohet përpara datës 13 Gusht, atëherë fiton të drejtën të largohet me parametra zero nga “Camp Nou”. Mirëpo, e keqja nuk mbyllet këtu për Barcelonën. Nëse Gundogan vendos të largohet, atëherë Barcelona duhet ta paguajë futbollistin përgjatë të gjithë pjesës së mbetur të vitit, deri në merkaton e Janarit.

Thënë këtë, kur ndodhemi vetëm pak ditë përpara nisjes së sezonit të ri futbollistik, koha nuk po punon më në favor të klubi balugrana, e për këtë arsye, kjo çështje kërkon zgjidhje brenda pak orësh. Në pritje të një zgjidhjeje, Gundogan rrezikon që të mos jetë në dispozicion të trajnerit Xavi Hernandez në fundjavë ndaj Getafes, në atë që është edhe java e parë e sezonit të ri futbollistik në La Liga.

Kur u bë pjesë e kampionëve të Spanjës në fund të muajit Korrik, Gundogan nënshkroi për dy sezone, deri në verën e 2025-tës, me një klauzolë largimi prej 400 milionë eurosh.