Aventura e Divock Origit me Milanin mund të konsiderohet e mbyllur. Në verën e kaluar, belgu u transferua me parametra zero në radhët e klubit kuqezi, duke ngritur mjaft pritshmëri dhe siguri, se do të ishte ai që do të udhëhiqte repartin e sulmit.
Mirëpo, koha tregoi tërësisht të kundërtën. Origi ka qenë thuajse inekzistent në fushën e lojës me 19 herë kampionët e Italisë, teksa në 35 ndeshje që është aktivizuar në të gjitha garat, ka shënuar vetëm 2 gola. Madje, ai ka humbur edhe konkurencën me 37 vjeçarin Olivier Giroud, me këtë të fundit që ka qenë gjithmonë titullar në formacionin e trajnerit Stefano Pioli.
Të tillë parametra konsiderohen të papërfillshëm nga drejtuesit e klubit, të cilët janë gati të dëgjojnë ofertat për Origin, ndonëse kontrata e tij me Milanin është e vlefshme deri në verën e 2026-tës.
Në një situatë si kjo, mediat italiane raportojnë se largimi i Origit nga kuqezinjtë duket i sigurt. Nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi të rikthehet në Premier League, një ambient që e njeh shumë mirë, për shkak të së shkuarës së tij me Liverpoolin.
Megjithatë, më e besueshme është alternativa drejt futbollit turk. Më konkretisht, Fenerbahçe ka nisur të tregojë interes për belgun. Klubi gjigant nga Stambolli, synon të përforcohet në qendër të sulmit dhe Origi është pikërisht elementi që kanarinat duan t’i shtojnë skuadrës. Me merkaton e verës që është shumë pranë, padyshim që nuk do të jetë e largët dita, kur të mësojmë përfundimisht edhe të ardhmen e Origit.
Nga ana tjetër, Milani synon që të arkëtojë rreth 10 mln euro nga shitja e ish-lojtarit të Liverpool dhe këtë shumë ta investojë në një tjetër sulmues.