Historia e Luis Enrique me PSG mund të përfundojë ende pa nisur. Ky është lajmi që ka bërë bujë në mbarë mediat botërore. Ndonëse i emëruar në krye të skuadrës franceze vetëm një muaj më parë, në 5 Korrik, spanjolli ka menduar të bëjë prapaktheu.
Gjithnjë duke marrë për bazë raportimet e mediave më prestigjoze sportive të botës, ato franceze, apo edhe më gjerë, 53 vjeçari nuk është aspak i lumtur me mënyrën se si po menaxhohet situata e Kylian Mbappe, i cili që prej momentit kur vendosi të mos rinovonte kontratën, ka koklavitur të gjithë kampin parizien.
Teksa PSG nuk po i jep zgjidhje kësaj çështjeje, Enrique ndihet i lodhur dhe kjo e ka bërë atë që ta shohë me dyshim punën e udhëheqësve të klubit. Nëse Mbappe nuk shitet këtë verë, por qëndron në Parc des Princes, atëherë klubi mund ta dënojë atë, duke mos i dhënë mundësi të aktivizohet.
Mirëpo, nëse gjithçka shkon sipas këtij plani, atëherë Enrique ka nisur të ndihet i shqetësuar që nuk mund të aktivizojë dot një prej lojtarëve më të mirë në botë, në mos më të mirin.
Mes kësaj tymnaje të madhe, asistenti i Enriques, Rafel Pol po merr në konsideratë mundësinë për t’u larguar nga Parisi, për shkak të disa problemeve personale. Në krahun tjetër, nëse për çështjen Mbappe, drejtuesit më të lartë, do të vazhdojnë të vendosin të parën krenarinë e tyre, duke shkarkuar Drejtorin Sportiv Luis Campos, i cili gëzon një raport të shkëlqyer me Mbappe, për shkak të së shkuarës së tyre të përbashkët tek Monaco, atëherë mund të themi se i radhës që do të bëjë gati valixhet, është Luis Enrique.
Kur jemi në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik, nëse ish-tekniku i Barcelonës vendos të largohet nga Franca, atëherë PSG do ta shihte veten në një rrëmujë totale.
Pasi ky lajm ka marrë përmasa botërore, klubi parizien e ka parë të udhës të bëjë një reagim publik, duke mohuar gjithçka që lidhet me çështjen në fjalë. Sipas kampionëve të Ligue 1, në këtë mes nuk ka asgjë të vërtetë, teksa klubi dhe Luis Enrique do të vazhdojnë me qetësi punën në “Parc des Princes”. Kontrata e trajnerit spanjoll, e firmosur me Parisin një muaj më parë, është e vlefshme deri në verën e 2025-tën.