Rindizet pista e kampionatit turk për Federic Veselin. Megjithëse nuk bëhet fjalë më për Denizlisporin, por për një emër më të madh siç është Trabzonspori. Faktikisht, prej ditësh Empoli ka gjetur një akord me Barin sa i takon transferimit të lojtarit. Mirëpo vetë 27-vjeçari nuk duket fort i bindur për të zbritur në Serinë C dhe prandaj po heziton për të pranuar këtë lëvizje. Ndërkohë që nga ana tjetër, agjentët e tij e kanë ofruar mbrojtësin e Kombëtares kuqezi te klubi turk i Trabzonsporit. Madje sipas asaj që bëjnë të ditur mediat turke, bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe synohet të mbyllen brenda 31 janarit, atëherë kur përfundon edhe ky sesion i merkatos
Veseli ka luajtur në 18 ndeshje gjatë këtij sezoni me Empolin në Serinë B, ku ka shënuar edhe 2 gola. Megjithëse prej kohësh është mënjanuar disi nga zgjedhjet e skuadrës toskane, me të cilën ka kontratë deri në 2021-shin, por që mesa duket dëshiron ta shesë. Kështu, Veselin pritet që me shumë mundësi t’i japë lamtumirën Empolit, ku ka kaluar 4 sezonet e fundit dhe me të cilin pati mundësinë të luante edhe në Serinë A. Në këtë pikë gjasat janë që të shtojë disi numrin e lojtarëve shqiptarë të cilët aktivizohen në Superligën turke të futbollit.