Prej 5 javësh, Frederic Veseli është pjesë e formacionit titullar të Empolit. Ndonëse fatkeqësisht, aktivizimi i plotë i mbrojtësit shqiptar në këto ndeshje të fundit nuk ka përkuar me rezultate pozitive të skuadrës toskane. Vetëm 1 pikë e arritur ndaj Milanit është fare pak në krahasimë me 4 humbjet e tjera. Më e freskëta ishte përballja me Romën, që solli disfatën e radhës për Empolin. Por sipas vetë Veselit, është mungesa e fatit ajo që po ndikon. Në një konferencë për shtyp para gazetarëve italianë, ai shprehur se në fushë skuadra është duke dhënë më të mirën e vet, mirëpo disa episode jo të favorshme po bëjnë që të mos shmangen rezultatet negative.
“Ashtu si në ndeshjet e kaluara, edhe ndaj Romës bëmë një lojë të mirë, por kaq nuk mjaftoi. Pavarësisht emrit dhe madhështisë së kundërshtari, mendoj se kemi lënë përshtypje pozitive ndaj të gjithëve. Por sigurisht që na mungon dicka për të marrë rezultatet e duhura”, ka thënë fillimisht mbrojtësi. Ndërsa i pyetur se cfarë i mungon më konkretisht kësaj skuadre për të marrë atë që meriton, Veseli nuk duket se ka dyshime: “Them se na duhet edhe pak fat, që shpresojmë të na ndihmojë sa më shpejt në ndeshjet e ardhshme. Nëse do kemi fat, besoj se edhe rezultatet nuk do të vonojnë. Ndërprerja e kampionatit do të na bëjë mirë. Megjithëse personalisht do të doja që të zbrisnim menjëherë në fushë, me synimin për të ndrequr gabimet e bëra dhe për të hedhur zhgënjimin prapa krahëve sa më shpejt”, përfundoi Veseli, i cili me Empolin ka luajtur në të majtë të mbrojtjes. Por me Kombëtaren pritet të kthehet në qendër, përderisa është një nga mbrojtësit më të aktivizuar që ka në dispozicion Panucci.