Verstappen flet për duelin me Leclerc dhe aksidentin me Vettel

Sport

Max Verstappen po bënte një garë të shkëlqyer në Silverstone deri në momentin që një gabim i Sebastian Vettel e nxori jashtë gare. Piloti holandez kishte fituar duelet me dy makinat Ferrari, si dhe me shokun e tij të skuadrës, Pierre Gasly për të marrë vendin e tretë, që në fund do të shkonte për Charles Leclerc. Me këtë të fundit, Verstappen pati disa duele mjaft të bukura, që rikthyen spektaklin e munguar prej kohësh në ‘Formula 1’, ndonëse që të dy pilotët shkuan përtej limiteve. Në fakt, ndryshe nga çfarë ndodh zakonisht, ishte Charles Leclerc piloti më agresiv, aq sa nuk nguroi ta nxirrte jashtë trajektores rivalin e tij, me të cilin pati edhe kontakt. Sipas Verstappen, sjellja e Leclerc në Silverstone tregon qartësisht se piloti i Ferrarit është ende i acaruar me atë që ndodhi në Austri. Verstappen e parakaloi në xhirot e fundit në Spielberg duke marrë fitoren, parakalim që krijoi shumë polemika. Duket se Leclerc ka mësuar nga dueli në Austri dhe kësaj radhe në Silverstone, nuk kurseu asgjë kundër atij që konsiderohet të jetë rivali i tij më i madh në të ardhmen. Verstappen u shpreh se e dinte që ishte më i shpejtë se kundërshtari, prandaj nuk e pa të nevojshme të këmbëngulte po aq ashpër sa Leclerc. Ndërsa sa i përket aksidentit që i kushtoi podiumin, Verstappen tha se ndihej mjaft i zhgënjyer, por për të çdo gjë është në rregull pasi Vettel i kërkoi menjëherë falje. Por holandezi i Red Bull shtoi se një pjesë të fajit e ka edhe ai vetë, pasi mund të kishte shmangur kontaktin nëse nuk do të frenonte aq fortë në limitet e kthesës.