Verona do të vijojë të jetë pjesë e Serisë A edhe në edicionin tjetër. Në sfidën finale përballë Spezias ku do të percaktohej gjithcka, „verdheblutë“ i‘a dolën duke triumfuar me rezulatin 3-1.
Sfida e zhvilluar në „Mapei Stadium“ të Sassuolos nisi menjëherë me emocione. Në minutën e 5-të Verona kaloi përpara me golin e realizuar nga Davide Faraoni. Gjuajtja e 31 vjecarit nuk u largua dot nga Ampadu dhe u ndal në rrjetë. Vetëm 10 minuta zgjati epërsia e skuadrës nga Veneto sepse Spezia riktheu baraspeshën falë Ethan Ampadu. Uellsiani me një goditje potente i ndihmuar edhe nga një devijim, e më pas edhe nga traversa, rizgjoi “bardhezinjtë”.
Ritmi vijoi i lartë dhe pa u plotësuar gjysmë ore lojë, Verona rimorri avantazhin. Ngonge realizoi me një goditje të saktë me të djathtën i shërbyer nga Milan Djuric. Belgu u shfaq protagonist edhe në rastin e golit të 3-të per Veronën. Në minutën e 38-të, 23 vjecari me ndihmën e një devijimi të Ampadusë e dergoi topin sërish në rrjetë me pjesën e parë që u mbyll 1-3 për “verdheblutë”.
Emocionet vijuan edhe në pjesën e dytë. Faraoni largoi një top me dorë mbi vijën fatale. Penallti për Spezian dhe karton i kuq për kapitenin e Veronës. Mbala N‘Zola nga pika e bardhë u bllokua nga Lorenzo Montipo që ishte nw një mbrëmje të bekuar duke kryer disa pritje madhështore. Rezultati nuk ndryshoi më deri në fund me Veronën që do të vijojë te jetë nw shkallën më te lartë të hierarkisë së futbollit italian, kurse Spezia pas 3 vitesh do të rikthehet në ligën inferiore.
Ndërkohë ka zgjatur vetëm një sezon qëndrimi i Cagliarit në Serinë B. Në sfidën e dytë përballë Barit, ekipi i Claudio Ranierit siguroi ngjitjen në Serinë A vetëm në sekondat permbyllëse pas një goli të Leonardo Pavolettit. Takimi i pare në Sardegnë ish mbyllur në barazim 1-1. Në këtë mënyrë “kuqeblutë” do të jenë në Serie A sezonin tjetër sëbashku me Frosinonen e Genoan.