Vendoset të jepet edhe një Top i Artë për…

Sport

Ceremonia e “Topit të Artë”, këtë vit e programuar për më 2 dhjetor në Paris, do të pasurohet edhe me një tjetër vlerësim, që i dedikohet portierëve. Revista “France Football” ka lajmëruar krijimin e çmimit “Lev Jashin”, që do të jepet për portierin më të mirë të vitit. Lista e kandidatëve do të shpallet më 21 tetor. Këtë vit, favoriti i madh duket braziliani Alisson, portier që në sezonin e fundit ka fituar Champions League me Liverpulin dhe Kupën e Amerikës me Brazilin.
Ky trofe i ri merr emrin e portierit legjendar rus Lev Yashin, një nga simbolet e futbollit të ish-Bashkimit Sovjektik dhe i vetmi gardian që ka fituar trofeun e famshëm në vitin 1963.


“Juria do të përbëhet nga të njëjtët specialistë që do të zgjedhin ‘Topin e Artë’. Eshtë një mëkat që portierë si chmeichel, Kahn, Iker Casillas, Neuer apo Buffon nuk janë vlerësuar asnjëherë, sepse janë të disavantazhuar nga roli i tyre në krahasim me lojtarët ofensivë. Nga këtu ka lindur ideja e çmimit të ri”, ka komunikuar shefi i France Football, Ferrer. Ky vlerësim i ri u shtohet “Topit të Artë” për femra dhe “Trofeut Kopa” për të riun më të mirë që u dhanë për herë të parë në edicionin e vitit të kaluar. I ftuar nderi në ceremoni do të jetë edhe ish-sulmuesi i Chelsea, Didier Drogba, i cili do të bëjë edhe bashkëprezantuesin e këtij eventi.