Vëmendja në Europian, dy lojtarë largohen nga Real Madrid

Sport

Teksa vëmendja maksimale e këtyre ditëve është e përqendruar në Euro 2024, lojtari spanjoll, Joselu, i cili gjithashtu është i angazhuar me përfaqësuesen e tij në Europian, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se do të largohet nga Real Madrid përgjatë kësaj vere.

Ndonëse shumicën e ndeshjeve i nisi nga stoli, në sezonin që sapo lamë pas, sulmuesi shtatlart korri një sukses madhor në Madrid, jo vetëm një aspektin kolektiv, por edhe atë individual, duke realizuar 17 gola e 3 asiste në të gjitha kompeticioniet.

Pika kulmore e të gjithë edicionit ishte gjysmëfinalja e kthimit ndaj Bayern Munich, teksa i ardhur nga stoli, Joselu arriti të shënonte dy gola, duke përmbysur rezultatin e sfidës, e duke e kualifikuar Realin në finalen e Champions Leauge, që më pas, do të shoqërohej edhe me fitimin e trofeut.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, e pavarësisht faktit se krerët e klubit ishin bindur se Joselu meritonte të qëndronte në skuadër në edicionin e ardhshëm, vetë lojtari ka marrë vendimin për t’u larguar dhe diçka të tillë e ka konfirmuar nëpërmjet platformave sociale.

Sa i përket të ardhmes së lojtarit në fjalë, ajo parashikohet të jetë jashtë Europës, e më konkretisht në Lindjen e Mesme.

Drejt të njëjtit destinacion do të shkojë edhe një tjetër lojtar i Real Madrid. Më saktë kapiteni i skuadrës, Nacho Fernandez, i cili pas 23 viteve të kaluara në Madrid, ka vendosur që të largohet përfundimisht nga Los Blancos dhe një gjë e tillë është konfirmuar zyrtarisht nga 15 herë kampionët e Europës. Nacho ka vendosur të mos rinovojë, e si përfundim do të largohet me parametra zero. Trashëgimia e tij në klubin e Real Madrid tanimë është e pashlyeshme, pasi Nacho po largohet si futbollisti më i trofeshëm i Los Blancos, me plot 26 tituj.